Ka vite që Kosova ka filluar rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Kurse, aktualisht Kosova ka statusin e vendit kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan Gazeta Infokus.

Zhvillimet e fundit dhe lufta në Ukrainë kanë bërë që shumë shtete t’i vejnë sanksione Rusisë, e t’i dalin krah Ukrainës.

Por, si do të ndikojë kjo luftë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në BE?

Sipas profesorit të së Drejtës Evropiane, Emrush Ukjani, lufta në Ukrainë ka ndikuar në bashkimin e vlerave demokratike.

Në një prononcim për Gazetën Infokus ai tha se bashkimi i këtyre vlerave do t’i kontribuoj edhe agjendës së Kosovës në përparimin e saj në këtë proces.

“Kjo krizë në Ukrainë fatkeqësisht për pjesën atje, për këtu impaktin e ka pozitiv sepse po i bashkon këto vlera dhe duke i bashku këto vlera natyrisht që neve shpresojmë që do të t’i kontribuoj edhe agjendës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht edhe Kosovës në këtë rast që jo ta largojë po ta ofrojë në këtë proces, nëse jo ta anëtarësoj”, ka thënë Ujkani.

Gjithashtu, ai tha se kjo gjendje do të ndikojë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë më optimist në rrugën drejt BE-së.

“Kjo gjendje përfundimisht do ta sqarojë këtë rrugë, do ta definojë qartë dhe do t’i japë hapësirë vendeve ose vendet e Ballkanit Perëndimorë do ta shohin vetën me një shpresë më të madhe që një ditë do të anëtarësohen”, ka shtuar tutje profesori i së Drejtës Evropiane.

Mirëpo, sipas Ujkanit lufta në Ukrainë nuk do të ndikojë direkt në këtë proces, por kjo do të mobilizojë Evropën se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i domosdoshëm.

“Nuk do të ndodhë kjo se tash ra lufta ne Ukrainë dhe vendet të anëtarësohen, jo nuk do të ndodhë, nuk do të ketë asi ndikimi. Por ndikimin më ta madh që e shoh është që ta mobilizojë pjesën tjetër të Evropës, pra Bashkimin Evropian, se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i domosdoshëm dhe mendoj që kjo çështje sot nuk është më dilemë”, tha Ujkani.

Edhe sipas Arben Fetoshit, profesor në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, lufta në Ukrainë do të ketë impakt të pashmangshëm politikën e zgjerimit të BE-së.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, ai tha se Kosova duhet të bëj vazhdimisht përpjekje për integrim pavarësisht pengesave.

“Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për integrim euro-atlantik, pavarësisht pengesave që ka nga 5 shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur, ose katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur”, ka thënë Fetoshi.

E luftën në Ukrainë ai e sheh si pasojë një politike të kahershme anti-NATO dhe anti-BE.

“Agresioni rus në Ukrainë është pasojë e një politike të kahershme anti-NATO dhe anti-BE, ndaj të cilës tashmë kemi një përgjigje të fortë të botës demokratike”, deklaroi tutje ai.

Ndërkaq, ai tha se Kosova duhet të angazhohet edhe më shumë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të cilën ai e sheh si mundësi më realiste.

“Pavarësisht nëse mund të ketë stagnim të përkohshëm të procesit të integrimit, Kosova duhet të intensifikojë përkushtimin euro-atlantik, si dhe të angazhohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës që tani për tani është mundësi më realiste”, përfundoi profesori i UP-së./Gazeta Infokus/