Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në mesnatë lidhur me mbylljen e dy depove të dy operatorëve ekonomik, të cilët po e mbanin fshehur vajin pa dokumentacione.

I pari i ekzekutivit të vendit, minuta më parë përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook ka thënë se nuk do ta lejojnë zhvatjen.

Tutje Albin Kurti ka shkruar se kanë shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojnë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës.

“Mbyllen dy depo. Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni. 3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, ka shkuar Kurti në Facebook.

Ndryshe, gjatë ditës së enjte në disa markete në Kosovë çmimi për një litër vaj ka shkuar deri në 3.49 euro./Gazeta Infokus/