Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar ashpër sulmet që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të zyrtarëve kosovarë, gjatë zbatimit të ligjit në Zubin Potok. Këto sulme ndodhën ndërsa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet në reagimin e ambasdës së SHBA-ve në Kosovë.

Përveç dënimit të sulmeve, SHBA-ja ka paralajmëruar edhe kundër spekulimeve që mund të rrisin tensionet në këtë situatë.

“Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne paralajmërojmë kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Sot, ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.