Në 24 orët e ardhshme pritet të mbërrijë në Ukrainë, ndihma amerikanë në armë prej 800 milionë dollarësh.

Zyrtarët amerikanë njoftuan se ndihma do të lihet në kufi dhe që aty do të merret nga ukrainasit.

Administrata e presidentit Biden ka njoftuar se ndihma përfshin helikopterë, drone kamikazë, armë kudnra tank dhe shumë të tjera, prandaj është një paketë më rëndësi të madhe.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur më herët gjatë javës, Rusia protestoi zyrtarisht ndaj dërgesës së vazhdueshme të armëve nga SHBA në Ukrainë, duke i dërguar një notë diplomatike Departamentit të Shtetit ku paralajmëron për “pasoja të paparashikueshme” nëse mbështetja vazhdon.

CNN raporton se Shtetet e Bashkuara besojnë se toleranca e rrezikut të presidentit rus Vladimir Putin është rritur dhe se ai mund të jetë i gatshëm të ndërmarrë veprime më agresive kundër SHBA-së në përgjigje të mbështetjes së saj për Ukrainën.

I pyetur për një koment mbi këtë zhvillim, një zyrtar amerikan tha se “ne nuk do të konfirmojmë asnjë korrespondencë diplomatike private. Ajo që mund të konfirmojmë është se, së bashku me aleatët dhe partnerët, ne po i ofrojmë Ukrainës ndihmë sigurie në vlerë prej miliarda dollarësh, të cilën partnerët tanë ukrainas po e përdorin me efekt të jashtëzakonshëm për të mbrojtur vendin e tyre kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë dhe akteve të tmerrshme të dhunës”.