Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova ka refuzuar propozimin e shteteve të Quint-it -ShBA, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca – për votimin e serbëve që jetojnë në Kosovë për zgjedhjet e 3 prillit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se BE-ja shpreh keqardhje që Kosova ka refuzuar një propozim të tillë, derisa thotë se Serbia ka qenë e hapur që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Bashkimi Evropian, e kemi thënë disa herë, ka qenë shumë aktivisht i angazhuar në përpjekjet bashkë me shtetet e QUINT-it për të gjetur një zgjidhje për të lejuar personat me të drejte vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë”.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues ku Përfaqësuesi i Lartë [Josep Borrell] ishte i angazhuar në kontakte me të dyja palët për të vepruar si lehtësues mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjendet marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve serbë në Kosovë që kanë dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të ndihmojmë që të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”.

Stano, në konferencën e përjavshme, ka thënë se konsiderojnë se “ky vendim është në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtimin dhe të ardhmen evropiane dhe kundër parimeve të mbrojtjes së të drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës joshumicë”.

“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet dhe retorikat të cilat mund të rrisin tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat që janë në vazhdim në kuadër të dialogut”.