Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell u bëri thirrje vendeve anëtare që të fillojnë të ndajnë më shumë para për aftësitë e mbrojtjes dhe ushtarake, dhe të përdorin fondet e alokuara në mënyrë më efikase, duke plotësuar mangësitë reciproke dhe duke shmangur dyfishimet.

Me rastin e miratimit të “Busullës Strategjike”, ministri i Jashtëm i BE-së tha se në të ardhmen BE-ja do të jetë në gjendje të mobilizojë deri në 5000 ushtarë të cilët do të pajisen dhe trajnohen për të reaguar në situata krize, për të forcuar aftësitë e tyre komanduese dhe kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake për herë të parë.

“Ne nuk duam një ushtri evropiane, ushtritë kombëtare evropiane do të mbeten, por ne duhet të koordinohemi më mirë dhe të reagojmë shpejt,” tha Borrell.

Ai tha se BE-ja nuk dëshiron të veprojë vetëm ushtarakisht, por dëshiron të jetë më e koordinuar dhe e integruar me partnerët ndërkombëtarë.

“NATO mbetet themeli kryesor i mbrojtjes territoriale të Evropës. Por ne evropianët themi se duam të jemi më të fortë në sigurimin e sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe paqen në botë,” përfundoi Borrell.