Ish-shefi i grupit diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, ka folur në emisionin Pressing në T7, për rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli gjatë luftës në Kosovë.

“Hashim Thaçi është më i ri se unë derisa Kadri Veselin e kam njohur më parë për arsye se me Sabit Veselin, që është hero i Kosovës kam qenë në të njëjtin burg në Pozharec. Kadriu ka qenë shok me Hashimin”, tha Mahmuti.

“Kadriun e kam parë si një veprimtar në demonstratat e vitit 1989, i kam parë shkathtësitë e tij. Ka qenë i guximshëm dhe ka qenë në vijën e parë”, shpjegon ai.

“Me Hashimin jam njohur më vonë, pas 1993 kur ka ardhur në Zvicër. Kemi biseduar dhe ai ka shprehur dëshirë që të takohemi. Bisedat e para kanë qenë se si të përgatitemi intelektualisht. Tek gjatë luftës kemi qenë më afër në rrafshin diplomatik”, tha Mahmuti.