Ekipi i studentëve të Fakultetit Juridik janë kualifikuar për rundet finale në garën Willem C. Vis International Arbitration Moot, duke lënë pas mbi 320 universitete pjesëmarrëse nga e gjithë bota. Kjo garë është gara më e madhe e drejtësisë në të gjithë botën, në të cilën sivjet morën pjesë më shumë se 380 Universitete nga më se 200 shtete të ndryshme.

Për t’u kualifikuar në këto runde, është e nevojshme që performanca e studentëve në prezantimet e tyre para tribunaleve të arbitrazhit, të vlerësohen si e shkëlqyeshme. Paraprakisht, ekipi kishte fituar njërën nga paragarat rajonale dhe ishte ranguar lartë në shumë paragara të tjera nëpër botë.

Ekipi përfaqësues i Fakultetit Juridik këtë vit është përbërë nga studentët Art Sylaj, Ernesa Shala, Lekë Morina, Morea Salihu dhe Dior Zhuri. Trajnere të ekipit për këtë ishin Prof. Ass. Donikë Qerimi dhe Lyra Çela. Ekipi është përkrahur nga Fakulteti Juridik, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, si dhe Programi për Zhvillimin e të Drejtës Komeciale i Departamentit Amerikan të Shtetit, SHBA.