Operatori kombëtar i hekurudhave në Finlandë, VR, njoftoi ndërprerjen e shërbimeve mes Helsinkit dhe Shën Petërburgut, duke mbyllur kështu praktikisht një nga linjat e fundit hekurudhore mes Rusisë dhe Bashkimit Europian.

Drejtues të tij pohuan se shteti finlandez ia kishte bërë të qartë se nuk ishte më e përshtatshme të lejohej ky shërbim, në dritën e sanksioneve të vendosura mbi Moskën për pushtimin e Ukrainës. “Për momentin, do e ndërpresim lëvizjen”, deklaroi kreu i kompanisë, Topi Simola.

Trenat nga Rusia drejt kryeqytetit finlandez, Helsinki, kanë qenë të mbushur plot këto javët e fundit, edhe për shkak të ngërçit të fluturimeve.

Ivan, një student rus në Finlandë, i tha AFP-së se kjo e dëmton shumë.

“Nuk e di si do të shkojë, nuk ju them dot sesi do t`ia bëj që të kthehem në Moskë. Të presim e të shohim si do të ecin gjërat. “

Alex, banor i Helsinkit shprehet nga ana tjetër se vetë nuk do të ketë asnjë problem nga ky vendim.

“Mbyllja mua nuk më prek aspak personalisht. Megjithatë, në përgjithësi nuk më duket një zhvillim pozitiv, sepse i lë rusët e thjeshtë në rrugë.”

Kufiri mes Finlandës dhe Rusisë ndërkohë, do të vazhdojë të mbetet i hapur për makinat private.