Martesat mes gjinisë së njëjtë ishte një nga temat më të diskutuara të kësaj jave në vend për shkak të shqyrtimit të shqyrtimit të parë të Projekt-Kodit Civil të Republikës në Kuvendin e Kosovës, që si i tillë nuk kaloi.

Qytetarët janë të ndarë, por më shumë në numër janë kundër martesave mes gjinisë së njëjtë.

Qytetari Nuhi Shabani tha për KosovaPress që ky projektligj është jashtë normave njerëzore.

“Ne jemi shqiptar, nuk mundemi ta pranojmë, është jashtë gjitha normave njerëzore… Jam kundër”. tha ai.

Bajram Kastrati ka thënë që Kodi Civil është më shumë për vendet perëndimore dhe i papërshtatshëm për shqiptarët .

“Është turpi më i madh që mundet me ndodhë. Kodi civil është më shumë për vendet perëndimore se për ne. Na që 20 vite jemi dalë prej lufte…Të martohet mashkulli me mashkull e femrat me femra, është absurditeti më i madh nëse Qeveria dhe Kuvendi e miraton këtë. Nuk jam kundër gjinisë dhe sektit fetar por kjo është turp, turpi më i madh që mundet me ndodh te ne shqiptaret është ky”, tha ai.

Një tjetër qytetar, Sokol Avdiu, po ashtu shprehet kundër këtij projektligji.

“Jam kundërshtar i kësaj pune”, u shpreh ai.

Ilir Muja, ka thënë që është kundër, pasi që nuk mbetet edukim për brezat që vinë.

“Jo nuk jam dakord që të ketë martesa brenda të njëjtës gjini. Zoti na ka krijuar që të jemi të ndryshëm, kështu që nuk kemi çfarë t’i edukojmë brezave që vinë për martesat e njëjtës gjini”, tha ai.

Izet Zhuja, është pro Kodit Civil, sepse secili njeri ka të jetojë jetën ashtu siç ka dëshirë.

“Liria e njeriut sipas meje duhet të respektohet. Secili njeri e ka moralin e vet, qoftë jo normal, qoftë sipas neve pak më i ndryshëm, por çdo kush është i lirë, duhet gëzuar jetën ashtu siç e mendon ai vet, kjo është norma më e mirë me qindra vite… Secili njeri duhet ta ketë lirinë e vet, të shprehjes së mendimit, por me kusht që mos t’i pengojë të tjerëve”, tha ai.

Nevzat Alija, ka thënë që më dëshirë nuk e pranon, veç nëse behet me patjetër.

“Unë s’do ta pranoja, s’është mirë gruaja me grua të martohet e burri me burrë… Veç nëse është me patjetër për ta pranuar, duhet ta pranojmë, përndryshe nuk e pranoj”, tha ai.

Sipas raport të The Human Rights Campaign Foundation (HRC Foundation) janë 31 shtete në botë të cilat lejojnë martesat me gjini të njëjtë.

“Aktualisht janë 31 vende ku martesat e të njëjtit seks janë të ligjshme: Argjentina, Australia, Austria, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Danimarka, Ekuador, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Tajvani, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uruguai”, thuhet në raportin e HRC-së.