Përdorimi publik i simbolit “Z”, i kthyer ne shprehjen e mbështetjes ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, do të ndëshkohet me ligj në disa lande gjermane.

Senatorja Iris Spranger nga Berlini tha për gazetën Tagesspiegel se përdorimi i simbolit “Z”, që është parë në makinat ushtarake ruse, “ do të thotë mbështetje e agresionit”.

Përdorimi i këtij simboli, sipas saj do të dënohet me ligj. Ajo iu referua një neni të Kodit Penal, që në rast se dikush e shkelë të njëjtin, mund të dënohet deri në tre vjet burgim apo të gjobitet. Po ashtu Saksonia e Poshtme dhe Bavaria kanë njoftuar për dënime lidhur me përdorimin e këtij simboli.

“Ne nuk pranojmë miratimin e krimeve dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar”, tha për Dpa ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Georg Eisenreich.Edhe në lande të tjera gjermane, ligjvënësit janë shprehur se janë për të aplikuar dënime në rast të përdorimit të këtij simboli.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, shkronja “Z” është parë në tanke e uniforma, dhe po ashtu është shfaqur e vizatuar në mure, ndërtesa e bluza, teksa ky simbol po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga presidentit rus, Vladimir Putin. Ka disa teori se çfarë nënkupton kjo shkronjë, e cila nuk gjendet në alfabetin rus. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ka thënë se “Z” do të thotë “Për fitore”.