Një këshilltar i lartë i ministrit ukrainas të mbrojtjes i tha CNN se grupi famëkeq ushtarak rus Wagner ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për ta vrarë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe kryeministrin Denis Shmihal.

“Ata donin ta vrisnin udhëheqjen e Ukrainës: presidentin dhe kryeministrin tonë. Ky ishte qëllimi dhe disa prej tyre u dërguan në Ukrainë pa asnjë sukses”, tha Markian Lubkivsky, një këshilltar i ministrit të mbrojtjes të Ukrainës. Lubkivsky tha se kjo u konfirmua nga shërbimi i inteligjencës ukrainase dhe forcat speciale të ngarkuara për mbrojtjen e Zelenskiyt.

“Të gjitha këto dokumente dhe provat e nevojshme do t’i paraqiten Tribunalit”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të zbulojë më shumë për arsye operacionale. CNN nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Grupi Wagner u zbulua për herë të parë gjatë pushtimit rus të Ukrainës lindore në vitin 2014. Që atëherë, hulumtimet dhe hetimet e pavarura nga CNN kanë zbuluar se kontraktori ushtarak privat operonte në Siri dhe disa vende në Afrikë. Zyrtarët amerikanë dhe zyrtarët e të drejtave të njeriut i kanë akuzuar ata për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, përcjell Gazeta Express.

Grupi besohet të jetë i lidhur me Yevgeny Prigogine, një oligark aq i afërt me Kremlinin sa që njihet si “kuzhinieri” i Putinit. Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje me grupin. Prigozin mohon çdo përfshirje në grupin Wagner. Britania u bë vendi i fundit që e sanksionoi grupin Wagner para pak ditësh.

Lubkivsky thotë se inteligjenca ukrainase ka gjurmuar grupin brenda dhe jashtë Ukrainës dhe se disa operativë të Wagner janë vrarë brenda vendit. Ata identifikohen nga shenjat e tyre unike.

Zelenskiy ka njoftuar vazhdimisht se do të qëndrojë në Ukrainë për ta udhëhequr mbrojtjen e vendit gjatë luftës, e cila tani ka hyrë në muajin e dytë.

“Morali i ushtrisë është shumë i lartë sepse presidenti ynë është në Kyiv, kryeministri dhe parlamenti ynë janë këtu. Kjo është shumë e rëndësishme për t’i mbështetur njerëzit në terren, për ta mbështetur ushtrinë ukrainase dhe ky është një sinjal shumë i mirë për komunitetit ndërkombëtar”, tha Lubkivsky.