Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qasjen e qeverisë së Kosovës, në kohën kur vendi po përballet me rritje të madhe të çmimeve në të gjitha produktet. Thotë se në vend se të mendohet si t’u ndihmohet qytetarëve, qeveria ‘sikur po i gëzohet rritjes së çmimeve’ sepse në këtë mënyrë, automatikisht rritet buxheti i Kosovës.

“Rritja është alarmante. Duhet me u pa në dy dimensione. E para, është krijimi i rezervave dhe e dyta është një politikë fiskale, qoftë edhe në një afat të kufizuar e cila kish me ju ndihmuar që me bo këtë krizë më të përballueshme”, thotë Bajrami në emisionin “Pressing” në T7.

“Qeveria fatkeqësisht e ka luajt rolin e spektatorit. Ne e dimë që para disa ditëve i ka nda 10 milionë, por nuk mjaftojnë 10 milionë për me krijuar rezerva”, thekson ajo.

“Sot i pamë disa masa, dolën me programin për subvensionet në bujqësi. Më lejoni të ju them se nuk ka ende shpallje të programit. Ka një vendim për t’i dyfishuar dhe për të heq akcizën për shembull për naftën, por nëse nesër shkojnë nesër fermerët në pikat e karburantit, ata s’kanë me pas mundësi me ble naftën sepse s’janë specifikuar kushtet”, tha Bajrami.

“Qeveria së bashku me deputetët e pushtetit që janë në parlament, çdo ditë krekosen për të hyrat e mëdha buxhetore që i kanë inkasuar gjatë vitit 2021 dhe po i inkasojnë gjatë këtij viti”, tha Bajrami.

“Është normale, pa e bërë as një veprim, në momentin që ki ngritje marramendëse të çmimeve, tatimet paguhen në përqindje, ty në mënyrë automatike të rriten të hyrat”, shton ajo.

“Qeveria, në fakt, duket sikur po i gëzohet ngritjes së çmimeve, sepse në këtë mënyrë ka me pas mundësi me rrit buxhetin dhe me dal me u krekos në secilën tavolinë se sa i ka rrit të hyrat e buxhetit”, tha Bajrami.

“Nuk është koha me mëndu për maksimalizim të hyrave, është koha për me mëndu në mënyrën më të mirë me i shpërnda ato që sot në këto momente të vështira me iu gjend qytetarëve”, theksoi Bajrami.