Vetëm në Ministrinë e Arsimit janë 32 zyrtarë të cilët nuk kanë dalë asnjëherë në vendin e punës.

Vend pune siguruan, mirëpo nuk kontribuan asnjëherë në përgjegjësitë që iu kishin ndarë.

32 zyrtarë në Ministrinë e Arsimit kishin marrë për vite me radhë paga nga institucionet e Kosovës, mirëpo nuk kishin dalë asnjëherë në punë.

Brenda vetëm një viti, këta punonjës i kishin kushtuar buxhetit të shtetit 120 mijë euro, duke llogaritur vetëm pagën bazë.

Përafërsisht njëjtë, ishte shpenzuar në çdo vit, prej kur të njëjtit ishin punësuar.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2020, për këta 32 zyrtarë është 135,760 euro ndërsa për vitin 2019, ishte 134,657 euro.

Këta u punësuan në bazë të një marrëveshjeje e cila ishte arritur në Bruksel, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Mirëpo, papërgjegjësisë së tyre përfundimisht iu dha një përgjigje.

Vetëm këtë vit, Ministria e Arsimit kishte vendosur që këta punonjës të kalojnë me zero orë në listë të pagave, për shkak të mosparaqitjes së tyre në punë.

Por, a veprojnë njësoj edhe institucionet e tjera në Kosovë?

Në vazhdimësi, në raportet e auditimit theksohen mungesa e punonjësve që i takojnë nacionalitetit serb në vendin e punës.

Mirëpo masa të ngjashme ndaj atyre që neglizhojnë punën, nuk janë marrë edhe në institucionet e tjera.

Me probleme të kësaj natyre, përballet edhe Inspektorati i Punës.

Të gjithë inspektorët serbë që janë të angazhuar në këtë institucion, nuk nxjerrin asnjë raport zyrtar.

Madje, nga Inspektorati i Punës kanë treguar që papërgjegjësia e tyre në punë, po ndikon në performancën e tërë institucionit.

Këtu ishte deklaruar se vetëm për këta zyrtarë të cilët neglizhojnë punën, shpenzohen 30 mijë euro.

Njësoj, veprojnë edhe 25 zyrtarë të tjerë të punësuar në Ministrinë e Tregtisë, të cilët nuk dalin fare në punë.

Video KËTU