Rrallëherë nëpër dyqane ju kthehet konsumatorëve kusuri në vlerën me të vogël se pesë centë. Një gjë të tillë thonë edhe vet qytetarët, të cilët konfirmojnë se paratë e imta nuk po kthehen gati kurrë. Konsiderohet që në Kosovë, për shkak të moskthimit të centëve si kusur, qytetarët humbasin deri në 50 milionë euro. Profesori universitar Muhamet Sadiku thotë se kjo vështirësi duhet të zgjidhet nga Banka Qendrore. E kjo e fundit arsyetohet me faktin se dyqanet furnizohen aq sa kanë kërkesa në mënyrë të vazhdueshme.

Selatin Kaçaniku, aktivist në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, thotë se në Kosovë do të hapeshin pesë mijë vende pune me paratë që ndalen nga moskthimit i kusurit me paratë e imta. Madje përgjegjës për këtë i bënë edhe autoritetet shtetërore.

“Problemi qëndron në mentalitetin tonë sepse ne si qytetarë konsumatorë, familje konsumatorë, disi turpërohemi na vjen keq që të angazhohemi për 1-2 centë për monedhat 5 centësh. Në krejt Kosovën brenda vitit humbasin rreth 50 milionë euro me centë… 50 milionë janë mundësi për hapjen e 5 mijë vendeve të punës dhe nëse qeveria e thotë se nuk është punë për të, domethënë se nuk është punë as për këto 5 mije vende të punës, jo t’i hap qeveria, por t’i krijoj mundësitë… Fajtorët e parë jemi ne si qytetarë konsumatorë, fajtorët e dytë janë tregtarët, fajtori i tretë është Banka Qendrore dhe fajtori i katërt është qeveria”, deklaroi Kaçaniku.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku thotë se kjo çështje është mjaftë e rëndësishme dhe se për këtë të vetëdijshme duhet të jenë të gjithë. Madje, ai thotë se për zgjidhjen e këtij problemi duhet të veprojë Banka Qendrore e Kosovës.

“Kjo është një detyrë e Bankës Qendrore të Kosovës sepse në Eurozonë bankat qendrore nuk kanë obligim për t’i kryer politikat monetare të Bashkimit Evropian. Bankat qendrore, sikurse ajo e Kosovës me probleme praktike me sigurimin e parasë së nevojshme, në sigurimin e parasë në metale. Prandaj vështirësitë duhet të zgjidhen me një veprim të duhur të Bankës Qendrore, por se kërkohet edhe një sjellje korrekte në sistemin e tregtisë dhe kërkohet sjellje e duhur edhe nga blerësit”, shprehet Sadiku.

Për moskthimin e monedhave më të imëta se pesë centë qytetarët thonë se ballafaqohen çdo ditë.

Lamush Shala thotë se në vendin ku jeton në Gjermani nuk e kanë këtë problem.

“Vet qytetarin e fajësoj, se qytetari duhet me kanë në qëndrim për paret e veta duhet me i lyp kusurin ato centët e vogla… ne që jetojmë në shtetet e jashtme çdo herë t’i kthen, por këtu 10 centë, 5 centë nuk t’i kthen kurrë”, tha ai.

Një tjetër qytetar, Agim Kastrati tregon se e njëjta nuk ndodh në Angli, vend ku jeton ai.

“Shumë e padrejtë se 1 cent duhet me ju kthye kujt i takon, edhe unë jetoj në Londër është interesant për 1 cent nuk ta jep ushqimin ta kthen krejt… Kjo është e padrejtë edhe këtu janë rrogat shumë të vogla, rroga minimale 100 euro kjo çka do me thënë. Është e padrejtë duhet me u kthye”, shprehet ai.

Të padrejtë moskthimin e kusurit të centëve e konsideron edhe qytetari Fatos Ferizi.

“Ne shqiptarët e kemi traditë për 1 cent nuk e shikojmë, por kultura perëndimore e kthen atë… Kështu që edhe unë ballafaqohem çdo ditë me to, por është mirë për t’i kthyer. Mendoj që behet e padrejtë”, tha Ferizi.

Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje me shkrim thotë se në pesë vitet e fundit vërehet një rritje e kërkesës për furnizimin e monedhave të imëta.

“Në pesë vitet e fundit 2017-2021 vërehet një tendencë e rritjes se kërkesës së bankave komerciale ndaj BQK-së për furnizim me monedha euro, mesatarisht 6.5 milionë copë në vit, që nënkupton se ka rritje të interesimit të përdorimit të tyre nga qytetarët dhe bizneset. Gjatë viteve 2017-2021, BQK-ja ka furnizuar bankat komerciale me afër 32.5 milionë copë monedha euro të të gjitha denominimeve prej të cilave 35.55% apo mbi 11.5 milionë copë kanë qenë të denominimeve 2 euro, 1 euro, 50 centë, 20 centë dhe 10 centë, kurse 64.45% apo mbi 20.9 milionë copë kanë qenë të denominimeve 5 centë, 2 centë dhe 1 euro centë”, thuhet në një përgjigje me shkrim të BQK-së.

BQK thotë që qytetarët duhet të jenë më këmbëngulës për furnizimin në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes.

“Bizneset gjithashtu janë të prira që të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe, 2 dhe 1 centë, gjatë transaksioneve duke bërë rrumbullaksimin e pagesës në raport me vlerën e faturës. Kjo dukuri është evidente në mbarë territorin e Kosovës, andaj do duhej që qytetarët të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes që rrjedhimisht do i shtynte bizneset që të rrisin kërkesën për këto denominime tek bankat komerciale, meqë është kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve ajo që e përcakton kërkesën e bankave komerciale ndaj BQK-së për furnizim me monedha të të gjitha denominimeve”, vijoi BQK.