Pasditen e së mërkurës janë arrestuar katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Telekom të Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

Policia e Kosovës ka njoftuar se personat e dyshuar kanë vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare dhe duke i shkaktuar dëm Telekomit nëpërmjet dokumenteve të rremë, gjë që ka bërë që një tjetër person, pronar i një kompanie të përfitojë kundërligjshëm 100 mijë euro.

Të dyshuarit me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në stacion policor, për procedura të mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

“Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim në Prokurim

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot me datë 09.03.2022, ka arrestuar katër (4) persona të dyshuar zyrtarë në Telekomin e Kosovës; një mashkull dhe tri femra kosovar-e, me iniciale (K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh.), të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018. Të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro).

I dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor.Të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndalohen për 48 orë, për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftim./Gazeta inFokus/.