Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është mburrur me rritjen e subvencioneve në naftë dhe kategori tjera të bujqësisë.

Kurti ka thënë se po subvencionon çmimin e naftës për bujqit me 0.36 centë për litër, kurse ka përmendur edhe 150 euro aq sa do të subvencionohet hektari, pa lënë anash edhe mbështetjen me 0.03 centë për çdo kilogram gruri, shkruan Gazeta Infokus.

Kurse në foton që e shoqëron postimin e tij, ai ka bërë krahasimin e subvencionimit dikur e që ishte 150 euro për hektarë dhe 474 euro tash pas vendimit të sotëm të qeverisë.

“Duke mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, po subvencionojmë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro. Nafta për bujqit do të jetë pa akcizë, pra e subvencionuar me 36 centë për litër.

E në përputhje me vizionin tonë për bujqësi të qëndrueshme, që ofron ushqim të bollshëm dhe të sigurt për qytetarët e vendit, kemi ndarë buxhet afër 50 milionë euro për kategorinë e subvencioneve. Përveçse subvencionojmë hektarin me 150 euro, po aq japim edhe për plehërimin, ndërkaq çdo kilogram gruri që dorëzohet në mulli e mbështesim me 3 centë”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.

Kujtojmë se kohëve të fundit janë rritur çmimet në mënyrë drastike si pasoje e luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike globale dhe se këto vendime për rritje të subvencioneve janë duke u barë në këtë vazhdë./Gazeta Infokus/