Presidenti Joe Biden njoftoi sot se Uashingtoni do t’i heqë Rusisë statusin e vendit të favorizuar në tregti për shkak të agresionit në Ukrainë.

Vendimi nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve normale tregtare me Moskën. Heqja e këtij statusi, në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të G7, bën të mundur vendosjen e tarifave ndaj importeve ruse, duke e izoluar edhe më tej ekonominë e këtij vendi. Presidenti njoftoi ndalimin e importeve ruse si pijet alkoolike, prodhimet e detit dhe diamantet.

Sanksionet e reja vijnë mes rritjes së trysnisë dypartiake në Uashington për të anuluar atë që njihet zyrtarisht si “marrëdhënie normale tregtare e përhershme me Rusinë”.

Qëndrimi i Uashingtonit vjen disa ditë pasi Presidenti Biden vendosi të ndalojë importet e naftës dhe gazit rus, duke e bërë Moskën përgjegjëse për nisjen e një lufte të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës.

“Bota e lirë po bashkohet për t’u përballur me Putinin”, tha Presidenti Biden nga dhoma që mban emrin e Presidentit Roosevelt në Shtëpinë e Bardhë. Biden tha gjithashtu se vendet po shtonin emra të rinj në listën e oligarkëve rusë që po përballen me sanksione.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara po ulin eksportet amerikane, si makinat dhe produkte të tjera luksoze. “Ne po ndalojmë eksportin e mallrave luksoze drejt Rusisë”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se sanksionet do të ishin edhe më të mëdha nëse Ukraina sulmohet me armë kimike, një mundësi për të cilën kanë paralajmëruar ditët e fundit zyrtarët e qeverisë amerikane.

“Rusia do të paguante një çmim të rëndë nëse do të përdorte armë kimike”, tha ai.

Statusi i vendit të favorizuar është standard i tregtisë globale që siguron që vendet brenda Organizatës Botërore të Tregtisë të trajtohen në mënyrë të ngjashme. Disa vende të OBT’së gëzojnë privilegje të veçanta për shkak të statusit të tyre si ekonomi në zhvillim. Pas vendimit të sotëm Rusia do të radhitet përkrah Kubës dhe Koresë së Veriut duke humbur statusin e vendit të priveligjuar në tregti./voa