Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) vazhdojnë tentimet që ta bindin Serbinë që të respektojë politikën e jashtme të BE-së për sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, por gjithashtu paralajmërojnë për pasoja të mundshme nëse një politikë e tillë vazhdon.

“Serbia nuk është e bindur se sanksionet (kundër Rusisë) janë përgjigja e duhur në këtë moment. Ne po ia bëjmë të qartë Serbisë se cili do të jetë çmimi nëse vendi radhitet në anën e gabuar të konfliktit”, tha Michael Siebert, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), i ngarkuar për marrëdhëniet me Rusinë dhe Lindjen.

Siebert i bëri këto deklarata në një diskutim në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian kushtuar luftës në Ukrainë, gjatë së cilës ligjvënësit evropianë pyetën se cilat do të ishin pasojat për Serbinë nga refuzimi i vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, raporton Radio Evropa e Lirë në edicionin serb.

Presioni ndaj Serbisë është intensifikuar javët e fundit, kur BE-ja vendosi një sërë masash kufizuese kundër Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.

Një grup deputetësh i ka kërkuar tashmë Komisionit Evropian që të ngrijë përkohësisht bisedimet e pranimit në BE-në me qeverinë serbe dhe t’ia ndalojë mbështetjen financiare. /Lajmi.net/