Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se edhe lufta në Ukrainë do të ndikojë në rritje e çmimit për megavat.

“Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë”, ka shkruar Rama.

Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se Shqipëria është i vetmi vend që nuk e ka rritur çmimin e energjisë.

“Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Gjithashtu, i pari i Qeverisë së Shqipërisë njoftoi se këtë diferencë ekonomike po e mbulon shteti.

“Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë. Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi”, ka thënë tutje ai.