‘The Tinder Swindler’ është një nga rastet e mashtrimit që bëri bujë të madhe në botë, ku një mashtrues izraelit përdori aplikacionin e takimeve Tinder për t’u lidhur me individë të cilët më pas i manipuloi emocionalisht për të mbështetur financiarisht stilin e jetës së tij luksoze. E një rrjet tjetër social po përdoret në Kosovë për të mashtruar klientët e njërës nga bankat më të mëdha në vend.

‘Nardi Krasniqi’ është personi që dyshohet se po mashtron qytetarët kosovarë përmes mesazheve të dërguara në rrjetin social WhatsApp ku paraqitet si zyrtar i bankës TEB.

Mesazhi ka përmbajtje të shkurtë, ku njoftohen përdoruesit e shërbimeve bankare të TEB se llogaria e tyre do të bllokohet, për shkak të disa tentim blerjeve online në disa faqe të ndryshme dhe për këtë nevojitet verifikimi i tyre.

“Pershendetje , shpresoj qe nuk po ju pengojme , llogaria juaj bankare do te bllokohet pasiqe ka pasur tentim blerje online ne disa faqe te ndryshme(virtuale-virus) dhe kerkojm nga ju qe ta verikoni nese keni qene ju apo ndonje kush tjeter.
Nardi Krasniqi
TEB Bank Kosovo
Prishtine 1000”, shkruan në mesazhin që ky mashtrues ua dërgon klientëve të bankës.

Sinjali bazuar në burimet e veta bën të ditur se bëhet fjalë për një person i cili quhet R. Gj. (Emer i ditur për redaksinë) dhe me prejardhje është nga Mali i Zi. Edhe numri me të cilin ai kontakton qytetarët kosovarë ka kodin telefonik +382, i cili është prefiks i Malit të Zi.

Ai në emër të ‘shpëtimit’ te qytetarëve nga keqpërdorimet eventuale, ua kërkon atyre të dhënat e kartelës bankare, të cilat duhet t’i dërgojnë në emailin ‘[email protected]’.

E kjo mund të bëhet fare lehtë, duke fotografuar të dy anët e kartelës bankare të kartelës së ‘vjetër’ në mënyrë që të bëhet kërkesa për kartelën e ‘re’.

Kjo dukuri shqetësuese ka nxitur reagime nga qytetarët, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre përmes komenteve në rrjete sociale, ku bëjnë të ditur se personi në fjalë është i njohur për mashtrime, raporton Gazeta Sinjali.

Një nga qytetarët ka rrëfyer se për pak ka rënë pre e mashtrimit, pasi që ‘Nard Krasniqi’ e kishte bindur se me anë të kartelës së tij janë kryer disa pagesa, e që sipas tij të njëjtat do të bllokohen.

Ai ka thënë se ka shpëtuar në momentin e fundit, pasi ka telefonuar bankën dhe më pas ka mbyllur llogarinë e tij.

“Qe qka kërkon edhe per pak sa skam ra ne karremin e tij nderkoh qe per ni moment kam telefonu qendres se TeB edhe e kam mbyll llogarin”, ka shkruar komentuesi A.B, duke bashkëngjitur me fotografi bisedën e zhvilluar me mashtruesin.

Emrin e R. Gj. disa nga qytetarët e kanë të njohur tash e sa vite. Ata thonë se i njëjti dyshohet se ka mashtruar persona të ndryshëm në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

“Numri i Malit Zi, ky merret me ksi sene t’liga prej 2015 sdi qysh se kan shti ne biruc polica hala, ma shume se 500 vetav jau ka lshu me ksi sene t’liga naper Kosove, Shqipri, Maqedoni e Mal t’Zi”, thotë komentuesi F.Ç., në grupin ‘Network Prishtina’ në Facebook.

Lidhur me këtë rast, banka TEB në muajin shkurt kishte nisur të dërgonte mesazhe te klientët e saj, ku bën thirrje për kujdes dhe të mos ndajnë të dhënat personale dhe bankare me persona të paautorizuar.

“I/e nderuar, Banka TEB ju ben thirrje te keni kujdes te shtuar ne menyre qe te mos bini pre e mashtrimeve duke shpalosur te dhenat personale dhe bankare me pale te pa-autorizuara. Per me shume informata klikoni ne kete link: https://bnpp.lk/o4OA9E”, thuhet në mesazhin e dërguar nga TEB.

‘Nardi Krasniqi’ thuhet se është denoncuar disa herë në Polici./Gazeta Sinjali/