Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga Elizabeth Sherëood- Randall, Këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në hapje të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për vendit tonë.

Randall shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, u bisedua për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës.

Kryeministri tha se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.