Madeleine Albright do të bëhej gruaja e parë që do të merrte pozitën si sekretare e shtetit amerikan.

Ajo kishte një karrierë të shkëlqyer si profesoreshë, ambasadore, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale dhe sekretare e shtetit më të fuqishëm në mbarë globin.

“Madaleine” nuk ishte emri i saj, ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Familja e saj e quante gjithnjë Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frëngjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Pasi familja e saj u përndoq nga nazistët, familja e saj u vendos në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Albright filloi studimet në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.

Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright.

Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.

Ndërsa Presidenti Bill Clinton mori detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997. Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.
Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.