“Kur kemi hy në mal, përmbi 15 granata kanë rënë në atë teren ku ishim ne aty, si kishim pasë as 5 a 6 metra granatat ku kanë rënë dhe copat e tyre më kanë plaguar mu me fëmijë edhe atë shoqen që o kanë më fëmijë, e dy djemtë ne na vdiqën”, rrëfen në “ZËRAT E LUFTËS”, Sanije Haxha, për momentet kritike kur serbët ia vranë djalin e saj 10 vjeçar dhe djalin e fqinjës së saj po ashtu 10 vjeçar.

Ajo tregon momentin e rënd kur e pa djalin që po i vdiste pasi copat e granatës e kishin goditur atë në kokë dhe e kishin lënë të vdekur në vend.

“E shifsha djalin që vetëm i shkonte lëng gojës diqysh se ai thuaja pa vetëdije mbet. E djali i asaj shoqes e qitke ende zërin dhe i kërkoi ujë, i lypi ujë djali, ajo shkoj me marrë ujë te lumi poshtë se ne e kishin lumin poshtë aty. Unë me vete thash qysh shkoj se mendoja që po na vijnë këmbësori, as nuk guxonim të qanim e as të bërtisnim. Fati që nuk kishim bebe se ata ishin kanë 150 metra përmbi ne”, vazhdon rrëfimin e saj Sanije Haxha.

Haxha ishte edhe vet e plagosur, por që ndihmë mjekësore kishe marrë tek pas dy ditësh kur infermieri Xhemajl Selimi, në mungesë të mjeteve për trajtim kishte përdorur një teh zhiletë që ta operonte plagën e t’ia nxirrte predhat e granatës.

Emisioni “ZËRAT E LUFTËS” nga Islam Morina, është prodhim i Gazetës Infokus, që sjellë rrëfime autentike të atyre që u mbijetuan masakrave e torturave çnjerëzore të kryera nga regjimi serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Rrëfimin e plotë mund ta ndiqni në videon në vijim: