Ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, nga radhët e Nismës Socioaldemokrate ka mirëpritur konfirmimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta furnizojnë Kosovën me grurë në rast nevoje.

Mbi rezervat shtetërore, ai ka thënë se është çështje e ndjeshme, por që ka shtuar se Kosova nuk qëndron mirë karshi fqinjëve.

“Kosova është më së keqi me rezerva në rajon. Kur jemi tek nafta ka rezerva më tepër se një javë. Rezervat tek gjërat esenciale kanë afatshmëri tjetër, janë burim nga shtete të ndryshme”, është shprehur Krasniqi në Klan Kosova FM.

“Vendi ynë nuk prodhon mjaftueshëm grurë. Ministria e Bujqësisë me politikat e gabuara nuk ka arritur ta stimulojë fermerët. Kam kërkuar ndryshimin e politikave fiskale sepse mbi 60 përqind e tokave janë djerrë. Duhet të investohet më shumë te gruri dhe misri. Qytetarët tanë duhet të jenë të lirë por asnjëherë nuk jemi të sigurt sa i përket çmimit. Krizat që ndodhin kanë ndikim vendet që janë eskploatuese”.

Krasniqi ka përmendur se Kosova në të kaluarën burim kryesor të grurit e ka pasur Ukrainën.

“Importues kemi tek Ukraina. Por jemi furnizuar edhe nga Kroacia, Hungaria, Franca… Lajmi për furnizim me grurë na gëzon dhe besoj që ShBA do të vazhdojnë të na qëndrojnë afër”.