Sot u raportua se dy kosovarë nga Komuna e Suharekës kanë tentuar të kalojnë kufirin në Ukrainë, për të luftuar përkrah luftëtarëve ukrainas kundër atyre rusë.

Por, pjesëmarrja në luftime të huaja jashtë shtetit të Republikës së Kosovës është i dënueshëm me Ligjin që ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2015, i cili parasheh që shkelësit e këtij Ligji të dënohen me 3-15 vite burgim.

Në anën tjetër, organizimi apo udhëheqja e grupeve për dërgim me qëllim lufte ne shtetet tjera dënohet me 5-15 vite burg efektiv.

Në një prononcim të mëhershëm të avokatit Asdren Hoxha për lajmi.net, i njëjti kishte konfirmuar se pjesëmarrja në luftëra të huaja është në kundërshtim me Ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në lufta të huaja jashtë vendit, sipas Ligjit 05/L-002, organizimi dhe udhëheqja janë të dënueshme nga 5-15 vite burgim. Ndërkaq, pjesëmarrja e thjeshtë dënohet nga 3-15 vite burgim”, kishte deklaruar ai.

Për interesimin e kosovarëve që të marrin pjesë në luftën Ukrainë-Rusi, ishte deklaruar më parë edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, i cili kishte thënë se disa qytetarë nga Kosova i kanë kërkuar atij mënyra se si të shkohet në Ukrainë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, gjithashtu kishte deklaruar se Kosova dhe vendet e rajonit po rekrutojnë militantë për në Ukrainë, por kjo deklaratë ishte përgënjeshtruar nga shefi i Kabinetit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela.

“Akuza e rreme e Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Lavrov, se #Kosova po dërgon mercenarë në Donbass, është pjesë përbërëse e fushatës dezinformuese që kërkon të justifikojë agresionin ushtarak kundër #Ukrainës. Kosova përkrah aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë”, kishte deklaruar Vela në Twitter.

Për deklaratat e Lavrov kishin reaguar edhe përfaqësues nga shtetet e tjera të rajonit, ku disa nga ta edhe ishin tallur me pretendimet e tij.

Ende nuk dihet nëse dy kosovarët nga Suhareka që u deklaruan për media sot në afërsi të kufirit me Ukrainën do të arrijnë të futen në territorin ukrainas, ose nëse të njëjtit janë në dijeni se janë duke bërë shkelje të Ligjit.