Ministrja Albulena Haxhiu kishte shkelur ligjin para dy vitesh. Javën që shkoi, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ministrja Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën. Ndërkohë, ministres Rozeta Hajadari i ndodhi një aksident në trafik, për të cilin nuk e tha të vërtetën. Dorëheqjet e ministrave në shtetet perëndimore edhe për ndonjë vonesë a ndonjë deklaratë kontroverse, mbesin kuriozitete për kosovarët.

Fjalia e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, se një fëmijë iu përplas për veture, shërbeu si inspirim për shumë tallje në rrjetet sociale.

Arsyetimi kësisoj i ministres për goditjen e një fëmije, meqenëse konsiderohej banal, përdorej edhe për shkeljet që kanë kryer ministrat e tjerë. Gazetarja Dafina Demaku shkruante “Thanë që edhe Arbërie Nagavci po thotë që s’e ka shkelë Kushtetutën, po iu ka përplasë”.

Vartësit e Albin Kurtit, ata të cilët është vërtetuar se kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën, me aq sa kanë deklaruar, nuk ndihen fajtorë dhe nuk kanë marrë ndonjë përgjegjësi për to. Kanë injoruar edhe thirrjet që u janë bërë për dorëheqje.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e ministres Arbërie Nagavci, duke thënë se nuk ka qenë kompetencë e saj dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, kur ka vendosur kundër reformave në arsim të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Pas konstatimit se ajo ka shkelur Kushtetutën, ministrja Nagavci doli me një shkrim ku thoshte se në fakt mosveprimi i saj në Kamenicë, do të ishte shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve”, shkroi ministrja Nagavci.

LDK-së i ka penguar qasja e ministres Nagavci, e cila ka thënë se do ta analizojë vendimin e Kushtetueses. Zyrtarja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se është shqetësuese se Qeveria nuk po i respekton verdiktet e Gjykatës.

“Ky vendim përpos që është jo kushtetues tregon se si qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për përfitime elektorale, ua kujtojmë se ky vendim ishte marrë pikërisht në kohë fushate të zgjedhjeve të kaluara lokale, shqetësuese është se si kjo qeveri nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku Nagavci dje deklaroi se do e rishikon vendimin duke mos e marrë këtë si të plotfuqishëm dhe të japë dorëheqje”.

Ish-kryetari i Kamenicës, por jo vetëm ai, konsideron se vendimi i Ministres, i cili doli antikushtetues, u mor për efekt elektoral dhe ndikoi që partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, t’i fitojë zgjedhjet në Kamenicë. Kërkon që ajo të mbajë përgjegjësi për luftimin e reformave me vendim antikushtetues.

“Veprimi kundërkushtetues i ministres Nagavci ka shtrembëruar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe ka dëmtuar potencialin jashtëzakonisht të dobishëm të reformës në arsim. Për këto veprime ministrja Nagavci duhet të jep dorëheqje të menjëhershme”, ka shkruar Kastrati sot, pasi shkoi edhe te zyra e ministres për t’i kërkuar që të largohet nga pozita që ajo bart.

Një muaj më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli të kundërligjshëm një vendim të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, të cilin e kishte marrë gjatë Qeverisë “Kurti I”

Më 20 shkurt të vitit 2020, Ministrja Haxhiu, anuloi komplet procesin e konkursit për përzgjedhjen e Noterëve, që ishte shpallur nga Ministria e Drejtësisë, gjatë kohës që drejtohej nga Abelard Tahiri i PDK-së.

Këtë vendim të Haxhiut, në mars të këtij viti, e shfuqizoi Gjykata Themelore e Prishtinës, duke konstatuar se procesi provimit të Noterisë i shpallur me datë 19 prill 2019 ka qenë i ligjshëm dhe i drejtë dhe duke shtuar se vendimi i ministres Haxhiu ka qenë i kundërligjshëm.

Këtë fundjavë, vërshuan reagimet ndaj ministres Rozeta Hajdaraj. Për të s’ishte konstatuar se ka shkelur ligjin me ndonjë vendim, por u raportua se ka goditur një fëmijë, e ajo thoshte se fëmija i është përplasur për makine.

Por, në raportin e Policisë thuhej se aksidenti u shkaktua si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës.

Zhurma që u krijua në publik nuk i prishi terezinë ministres Hajdari. Por “kaq e fortë”, si ministrja kosovare për t’i bërë ballë presionit publik nuk ka qenë Ministrja për Familje, Rini dhe Gra, në qeverinë gjermane, Anne Spiegel, e cila dha dje dorëheqje.

Ajo e bëri këtë pasi u vu nën presionin e publikut se kishte marrë pushim pak pas përmbytjeve të vitit të kaluar në krahinën Rhineland-Palatinate.

“Kam vendosur të jap dorëheqje për shkak të presionit politik. Këtë po e bëjë për të mos e dëmtuar Ministrinë, e cila po përballet me një sfidë të madhe politike”, tha ajo, raportoi DW. /Express/