Një zyrtar i Policisë së Kosovës, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve pasi është vetëplagosur në poligonin e gjuajtjes së Policisë së Kosovës në Cërrnushë të Mitrovicës.

Lidhur me këtë ka reaguar ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, i cili ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti dhe i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të ndjerë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai ka thënë se rasti ka ndodhur gjatë trajnimit të rregullt të policisë që është duke u mbajtur atje.

Sveçla po ashtu ka treguar se njësitet relevante janë duke e trajtuar rastin dhe hetimet janë duke u reralizuar në koordinim me prokurorinë.

“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar se sot, në poligonin e gjuajtjes së Policisë në fshatin Cerrnushë të Mitrovicës, një zyrtar policor ka plagosur veten me armë zjarri aksidentalisht dhe më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur përgjatë trajnimit të rregullt të Policisë që është duke u mbajtur atje.

Njësitet relevante të Policisë dhe Inspektoratit Policor kanë dalur në vendin e ngjarjes si dhe kanë filluar hetimet të cilat do të vazhdojnë në koordinim edhe me prokurorinë.

Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe gjithë zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ngjarjet e tilla tragjike prekin thellë secilin prej nesh por edhe janë thirrje për rritje të kujdesit ndaj vetvetes dhe të tjerëve rreth nesh”, ka shkruar Sveçla./Gazeta Infokus/