Djali i Hysni Gucatit, Musliu, ka thënë se gjyshërit e tij po e përjetojnë më së rëndi mbajtjen e babait të tij në Hagë, ku tashmë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të dënohet me 6 vjet burgim.

Ai është prekur shumë emocionalisht dhe madje është përlotur në studion e “Info Magazine” të Klan Kosovës, derisa ka treguar se janë bërë gati dy vjet prej kur gjyshja e tij nuk e ka takuar djalin e saj.

“Më së rëndi po e përjetojnë prindërit e babait, sepse janë me një moshë të shtyrë dhe kanë probleme shëndetësore. Nuk po e dinë as arsyen mirë se pse po qëndrojnë në Hagë dhe pyetja më e shpeshtë që e bëjnë është se si munden me i marrë njerëzit që kanë luftuar për këtë vend dhe kanë dhënë edhe gjymtyrët e trupit. Përballja me këto padrejtësi të mëdha për prindërit e tyre është shumë e rëndë”.

“Edhe shkuarja e tyre në Hagë është shumë e vështirë për shkak të moshës dhe sëmundjeve që i kanë. E kanë shumë të vështirë që të shkojnë për t’i vizituar dhe po bëhen gati dy vjet prej kur i kanë arrestuar dhe gjyshja ime nuk e ka pasur rastin të takohet fizikisht me babanë. Vetëm përmes videokonferencave, që ne i kemi, ata ia kanë dëgjuar zërin”.

Megjithatë, ai thotë se babai i tij, që ishte kreu i OVL-së së UÇK-së, dhe Nasim Haradinaj, si nënkryetar i saj, e kanë arritur misionin që kanë dashur kur kanë publikuar dosjet e ZPS-së, të cilat iu erdhën në zyre nga njerëz të panjohur.

“Ata e kanë arritur qëllimin dhe misionin e tyre, sepse ideja dhe qëllimi i tyre ka qenë që t’i tregojnë popullit shqiptar dhe gjithë botës se kjo prokurori, me akuza të fabrikuara, të cilat po mbështeten nga prokuroria serbe në Beograd dhe nga Rusia, janë duke i montuar rastet për ish-krerët e UÇK-së. Nëse lexojmë mijëra libra të historisë, shohim se në asnjë faqe nuk e gjejmë një organizim politik dhe ushtarak më të mirë se UÇK-ja, për të cilën është dashur të pritet 2000 vjet që të organizohet dhe ne të fitojmë lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”.

Videon e gjeni KËTU