Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shpallur sot fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë nga Gjykata Speciale. Janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë. Gazeta Online Reporteri.net ka bërë një përmbledhje të krejt asaj çka u tha në seancën e sotme.

“Në emër të popullit të Kosovës…”, me këtë fjali, gjykatësi Charles Smith III i Dhomave të Specializuara e shpalli aktgjykimin në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, drejtues të OVL e UÇK’së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ata u shpallën fajtorë dhe u dënuan nga Specialja me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjoba prej 100 euro për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Shpalljen e këtij aktgjykimi dënues, Haradinaj e priti me buzëqeshje. Ai u pa në seancë me një kollare me flamurin kombëtar të shqiptarëve, të njëjtë me një që kishte ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, para disa ditësh.