Vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe do t’ia minojë Kosovës aspiratat europiane, paralajmëruan ndërkombëtarët. Studiuesi Shkëlzen Gashi e sheh si shqetësues qëndrimin e Quint-it. Ai pyet se çfarë janë vërtet vlerat europiane. Kryeministri Kurti shprehu keqardhje që “çështja ka marrë një kahje tjetër”

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca janë shprehur shumë të zhgënjyera me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill. Këtë qëndrim shtetet e Quintit e bënë të ditur përmes një deklarate të përbashkët të mërkurën.

Një javë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paraqiti publikisht kushtin e Qeverisë për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në territorin e Kosovës. Në një intervistë për mediumin serb, “KoSSev”, Bislimi tha se qeveria serbe duhej t’i dërgonte kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës për këtë çështje. Pas kësaj, ai tha se duhet të arrihej një marrëveshje për ta mundësuar ndonjë formë të mbledhjes së votave në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se nuk ka synuar që nëpërmjet kësaj kërkese ta sillte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, ka thënë Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës, RTK.

Gashi e konsideron shqetësuese qasjen e Quint-it

Shtetet e Quint-it thanë se Qeveria e Kosovës refuzoi “propozimin kontriktiv”, ndërsa shprehën vlerësim për “qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje”.

Me këtë vendim, shtetet e Quint-it thonë se “Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”.

Publicisti dhe studiuesi Shkëlzen Gashi i tha Gazetës Express se kjo nuk është e vërtetë. “Vetë Quint-i në deklaratën e vet po e pranon se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendosë nëse do të lejojë lehtësimin e votimeve për zgjedhjet e një vendi tjetër”.

Sipas Quint-it, “kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do t’i minojë aspiratat e saj europiane”.

Gashi e konsideron shqetësues këtë paralajmërim.

“Do të thotë se nëse Kosova nuk e lejon cenimin e integritetit territorial, sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vet nga Sërbia, atëherë po u minokan aspiratat europiane të Kosovës. Do të thotë, Quint-i po thotë nëse dëshironi të integroheni në Europë, duhet ta lejoni Sërbinë të hy në Kosovë sepse sipas Quint-it kjo qenka vlerë europiane. Vlerë europiane nëse lejon cenimin e integritetit territorial, sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë duke e lejuar një shtet tjetër që të organizojë zgjedhjet e veta edhe nëpër territorin tënd?”, tha ai.