Ngritja e çmimeve dha shkaktimi panikut ndër qytetarë janë temë diskutimi në mjedise qytetare por edhe vendimmarrësish e opozitarësh.

Nga partia që e ka pushtetin ka filluar të ngritët si hipotezë se kjo gjendje është krijuar në saje të një konspiracioni më të gjerë kundër partisë në pushtet dhe Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

I pari që fillojë këtë ishte vet kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili gjatë një vizite në njërën nga kompanitë prodhuese të vajit në vend, tha se ngritja e çmimit të vajit në 3.49 euro dhe jo në 3.50 euro është e qëllimshme, duke lënë të kuptohet se tregtarët këtë e kanë bërë qëllimshëm që t’i iket masës së lartë tatimore apo duke aluduar në rregullimin e çmimeve nga bizneset nëpërmjet ndonjë marrëveshje mes tyre.

“Po të ishte çmimi tre euro e gjysmë do të thoshim që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen, por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Se ngritja e çmimeve mund të jetë pjesë e një konspiracioni më të gjerë se ai që pretendon kryeministri Albin Kurti, e tha edhe zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Ai ka shkuar deri aty sa nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se disa gjëra, deklarata, e veprime mund të duken të vogla por që ato vijnë nga duar të padukshme. Ai ka thënë se me raftet plot dhe stoqet plotë u luajt loja e panikut dhe çmimeve astronmike.

“PARA 2 DITËSH. Nganjëherë na duken sikur disa gjëra na vijnë nga duar të padukshme, por jo. Ky është vetëm një rast prej nga buron ky manipulim e ky burim paniku. Këto gjëra vërtetë janë tmerr. Ja si u nxit gjithë ky masakarllëk. Pra stoqet plotë, e raftet zbrazur. Kjo ishte loja e panikut dhe çmimeve astronomike”, ka shkruar zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën tha se qeveria nuk mund t’i kontrollojë çmimet e tregut, duke lënë të kuptohet se shteti në këtë rast nuk ka zotësi veprimi mbi rritjen enorme të çmimeve dhe panikut që po shkakton kjo gjë te qytetarët.

“Çmimet nuk i kontrollon qeveria. Siç e dini për çmimin e naftës që është duke u rritur, pra për të gjitha këto produkte që janë esenciale, janë edhe produkte që çmimi u caktohet nga berza”, ishte përgjigjur Hajdari.

Kujtojmë se shteti i ka të gjitha mekanizmat që mund të kontrollojnë edhe rritjet e pa baza të çmimeve, manipulimin me çmime e deri te hetimi e parandalimi i konspiracioneve dhe sabotazhës në kohë krize si ky i tashmi.

Koordinimi dhe vënia në funksion të plotë me kapacitete të plota në situata të tilla i Administratës Tatimore, Inspektoratit të Tregut dhe AKI-së nëse ka dyshime për veprimtari konspirative dhe sabotazhë, janë vetëm disa prej intrumentave që qeveria i ka në dispozicion./Gazeta Infokus/