Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas konferencës së kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Bujqësisë Faton Peci.

Haradinaj tha se Qeveria në vend të fjalëve të zbrazta në konferenca për shtyp, duhet të ndërrmer veprime të shpejta dhe të përgjegjshme.
Po ashtu, ai e përmendi edhe kompënsimin e dëmeve që i shkaktuan sektorit të bujqësisë gjatë vitit 2021, për shkak të mosveprimit me kohë të tyre.

“Bujqësia është sektor me rëndësi thelbësore për vendin. Ky sektor edhe në kushte normale ekonomike operon me vështirësi, e duke pasur parasysh se koha për të cilën po flasim është situatë pandemike, atëherë mungesa e dorës së shtetit ka qenë e tmerrshme.

Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët, të cilët në vend të rritjes së subvencioneve sipas premtimeve, në vitin e kaluar ata u përballën me papërgjegjësinë totale të qeveritarëve.
Planifikimi për vitin 2022, si duket ka nisur në kohë, por krahasimet statistikore me vitin paraprak janë qesharake.

Në kohën kur shumë shtete po e ndërprejnë eksportin e produkteve agroushqimore, duke përfshirë edhe grurin, subvencionimi i fermerëve është një domosdoshmëri, ashtu siç janë edhe masat e tjera të nevojshme për përkrahjen e këtij sektori.

Në vend të fjalëve të zbrazëta në konferenca shtypi, Qeveria duhet të ndërmerr veprime të shpejta e vendime të përgjegjshme, një prej tyre edhe kompensimi i dëmeve që i shkaktuan sektorit të bujqësisë gjatë vitit 2021, për shkak të mosveprimit me kohë të tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.