Në komunën e Rahovecit, gjatë inspektimit të marketeve janë sekuestruar 4,676 litra vaj, të cilat nuk kishin dokumentacion të origjinës.

Kështu ka bërë me dije drejtoresha e Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Rahovecit, Nora Boshnjaku, shkruan Gazetaria Civile.

Ajo po ashtu ka njoftuar se Drejtoria e Inspektoratit dhe Inspektorati i Tregut, intnsivisht janë duke inspektuar operatorët ekonomik në këtë komunë, për shkak të ngritjes së menjëhershme të çmimeve.

Boshnjaku ka thënë se janë gjetur edhe parregullsi të tjera gjatë inspektimeve për çka janë shqiptuar gjoba dhe masa tjera administrative.

“Inspektohen marketet në komunën e Rahovecit, sekuestrohen 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.

Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik (Mega Market) kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës!

Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/

DPI gjithashtu fton bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.

Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit”, ka shkruar Boshnjaku në Facebook./Gazetaria Civile/