Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar botën se Rusia mund të përdorë armë kimike. Paralajmërimin e bëri në një konferencë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

“Folëm për rrezikun e përdorimit të armëve kimike nga Rusia, sepse bota duhet të dijë se kjo është mënyra e tyre dhe se ata kanë aftësinë për ta bërë”, tha ajo.

“Fakti që presidenti Putin ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën se kanë program të armëve kimike është një model i qartë, të cilin e kemi parë të përdoret në të kaluarën, me anë të të cilit ata përpiqen të maskojnë veprimet e tyre”, tha ajo.

Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se SHBA nuk përjashton mundësinë për një embargo të plotë tregtare ndaj Rusisë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëssekretari i Thesarit Wally Adeyemo, sipas të cilit ndër opsionet e disponueshme është edhe bllokimi i hyrjes së Rusisë në ujërat ndërkombëtare.