Presidenti i SHBA-së Joe Biden njoftoi dje se një ndihmë shtesë amerikane do të dërgohet në Ukrainë, duke përfshirë disa dronë. Dy burime i thanë CNN se Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Ukrainës dronë Switchblade. Bëhet fjalë për dronë të vegjël dhe të lëvizshëm, të ashtuquajtur “dronë vetëvrasës” që mbajnë koka luftarake dhe shpërthejnë në përplasje.

Switchblade 300 dhe Switchblade 600 prodhohet nga AeroVironment.

Switchblade 300 mund ta godasë një objektiv deri në 10 kilometra larg, sipas specifikimeve të ofruara nga kompania, ndërsa Switchblade 600 mund ta godasë një objektiv në një distancë prej më shumë se 30 kilometra. Të dy dronët mund të lëshohen brenda pak minutash.

SHBA-ja do të duhet të ofrojë trajnime për trupat ukrainase nëse u dërgojnë dronë, por një burim i CNN thotë se kjo mund të bëhet nga distanca.

Lajmi u konfirmua për Politico nga deputeti republikan i Teksasit, Mike McCaul, i cili gjithashtu njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e tyre planifikojnë t’i dërgojnë Ukrainës edhe raketa shtesë.