Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj gjatë seancës së sotme shtroi pyetje ndaj kryeministrit Kurti rreth premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore se që në vitin e parë të qeverisjes do të fillojnë punimet për zgjerim të rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës. Kurti në përgjigjen e tij në Kuvend theksoi se Qeveria e Kosovës nuk e ka në planin afatshkurtër nisjen r procedurave të këtij projekti.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti Dreshaj, i cili përmes profilit të tij në Facebook ka thënë se mbi 600 mijë banorë të Kosovës, që jetojnë në rregjionin e Dukagjinit, vazhdojnë ta vuajnë padrejtësinë që i është bërë nga Qeveria Kurti me anulimin e projektit të “Autostradës së Dukagjinit”, të cilën e vlerësuan si të panevojshme.

Postimi i plotë:

Dukagjini pa autostradë dhe i neglizhuar nga Qeveria Kurti

Mbi 600 mijë banorë të Kosovës, që jetojnë në rregjionin e Dukagjinit, vazhdojnë ta vuajnë padrejtësinë që i është bërë nga Qeveria Kurti me anulimin e projektit të “Autostradës së Dukagjinit”, të cilën e vlerësuan si të panevojshme.

Madje sot në Kuvend, Kryeministri e vërtetoi se Qeveria le që nuk e ka në plan realizimin e “Autostradës së Dukagjinit”, mirëpo as që të nisë projektin e zgjerimit të rrugës ekzistuese Kiev-Zahaq siç pati premtuar në fushatë.

Kjo është edhe një tallje dhe diskriminim ndaj kësaj pjese të Kosovës që i jep shumë vendit në aspektin ekonomik dhe në fusha tjera.