Civilët e bllokuar brenda Mariupolit po kërkojnë me dëshpërim ushqime e karburant ndërsa forcat ruse vazhduan edhe të enjten të bombardojnë qytetin port. Ndërkohë fotografi satelitore treguan se autokolona masive e Kremlinit, që ndodhej disa kilometra jashtë kryeqytetit ukrainas është shpërndarë dhe ridislokuar sërish.

Një numër edhe më i madh vendesh dënuan sulmin ajror në një maternitet në Mariupol një ditë më parë, si pasojë e të cilit u vranë tre persona. Zyrtarë perëndimorë dhe ukrainas e quajtën atë një krim lufte. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se refuzimi i Rusisë për të lejuar evakuimet nga qyteti port, ishte një formë e plotë terrori.

Numri i refugjatëve që janë larguar nga vendi deri tani ka arritur në 2.3 milionë dhe Kievi po përgatitet për një sulm. Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit tha se Kievi ishte kthyer praktikisht në një kështjellë të mbrojtur nga civilë të armatosur.

Imazhet satelitore të kompanisë ‘Maxar Technologies’ tregonin se autokolona ushtarake prej 64 kilometrash, në përbërje të së cilës kishte tanke e artileri, është shpërndarë dhe ridislokuar. Njësi të blinduara të saj janë parë në qytete pranë aeroportit Antonov. Një pjesë e automjeteve janë zhvendosur në pyje, njoftoi Maxar.

Autokolona ishte grumbulluar jashtë qytetit në fillim të javës së kaluar, por ajo kishte ngecur për shkak të mungesës së ushqimeve dhe karburantit. Zyrtarët amerikanë thonë se trupat ukrainase gjithashtu e kanë goditur atë me raketa antitank.

Në Mariupol, një qytetet me 430,000 banorë, situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Që nga fillimi i sulmit, më shumë se 1,300 persona kanë vdekur sipas zëvendëskryeministres Iryna Vereshchuk.

Banorësh nuk kanë ngrohje apo shërbim telefonik dhe shumë prej tyre nuk kanë energji elektrike.

“Ata kanë një urdhër të qartë për të mbajtur peng Mariupolin, për t’u tallur me të, për ta bombarduar dhe goditur atë vazhdimisht”, tha zoti Zelenskyy në fjalimin e tij të mbremjës drejtuar kombit. Ai tha se forcat ushtarake ruse filluan një sulm me tank pikërisht aty ku supozohej të kishte një korridor humanitar.

Zyrtarët lokalë thonë se është e vështirë të gjesh vende të mbrojtura nga bombardimet.

Zotit Zelenskyy tha se rreth 100,000 njerëz janë evakuuar gjatë dy ditëve të fundit nga shtatë qytete në veri dhe qendër të vendit përfshirë periferitë e Kievit, megjithë bllokadën ruse.

Sanksionet perëndimore i kanë dhënë tashmë një goditje të rëndë Rusisë, duke çuar në një zhvleftësim të rublës, largim të bizneseve të huaja nga vendi dhe rritje të çmimeve.

Por Presidenti rus Vladimir Putin tha vendi u ka mbijetuar edhe më parë sanksioneve.

“Ne do t’i kapërcejmë ato”, tha ai në një takim me zyrtarë qeveritarë. Megjithatë ai pranoi se sanksionet do të krijojnë disa sfida për vendin. /Voa