Javën që lamë pas ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se nuk u miratua propozimi i tyre për rritjen e pagës minimale. E për këtë ai tha se faj, kanë sindikatat për shkak se nuk votuan pro këtij propozimi.

Ndërsa nga Sindikatat për Gazetën Infokus kanë thënë se nuk e kanë kundërshtuar rritjen por që nuk janë pajtuar me këtë propozim për shkak se rritja prej 264 euro nuk është e mjaftueshme.

Për këtë arsye ata propozuan që paga minimale të rritet në 300 euro, mirëpo kjo nuk u pranua nga ministria.

E këtë për Gazetën Infokus fillimisht e ka konfirmuar, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Ymer Ymeri.

Madje ai njoftoi se sindikatat në fillim kishin propozuar që paga minimale të jetë 394 euro, kjo për shkak të kalkulimeve të çmimit për produktet esenciale, por në mënyrë që të arrijnë marrëveshje e zbritën atë në 300.

“Nuk është e vërtetë që ne e kemi kundërshtuar, po ne nuk e kemi votu propozimin e ministrisë, e as ata se kanë votu propozimin tonë, që i joni ka qenë më u bo 300 euro. Sindikatat e kanë pas propozimin herën e parë, që të shkojë deri në 394 euro, për shkak se ashtu ka dalë sipas kalkulimeve të shportës me artikuj elementar. Gjatë diskutimeve, kemi mëndu se do të gjejmë konsensus, kemi pranu që me qenë 300 euro. E kemi hedh në votim, nuk i ka marrë votat e nevojshme, njëjtë qysh si ka marrë votat e nevojshme propozimi i qeverisë për 264 euro”, u deklarua Ymeri.

Kurse, Blerim Syla, kryetar i Federatës të Sindikatave të Shëndetësisë mendon se paga minimale në Kosovë duhet të jetë deri në 400 euro, e kjo duket të jetë edhe arsyeja pse nuk kanë marrë
fare pjesë në takim për votimin e propozimit të qeverisë.

“Unë nuk kam qenë në Këshillin Ekonomiko-Social, megjithatë unë jam pro sektorit privat që paga minimale duhet më shku deri në 400 euro. Sindikata e kanë bërë hesap se sa është shporta dhe kjo është minimalja. Po t’ia shtojmë kësaj që edhe punëtorët po ikin. Andaj kjo është më se e justifikueshme, që e kanë lyp sindikatat”, tha kryetari i FSHSK-së.

Ndërkaq, Syla tha se nëse nuk do të ketë reflektim nga qeveria paralajmëroi edhe trazira sociale në vend.

“Në qoftë se nuk ka me pas reflektim nga ana e qeverisë, unë definitivisht mendoj që pas prillit do të ketë trazira të vërteta sociale”, përfundoi ai.

E edhe nga Sindikata e Policisë kanë kërkuar që paga minimale në Kosovë të mos jetë nën 300 euro.

Imer Zeqiri, kryetar i kësaj sindikate tha për Infokusin se ministria është munduar që fajin t’ua hedh sindikalistëve, duke thënë se këta të fundit janë kundër rritjes së pagave.

“Në njëfarë forme ata janë munduar që fajin ta hedhin te sindikatat, se sindikata po e pengojnë rritjen e pagës minimale. Ndërsa sindikatat kanë kërkuar që paga minimale të jetë 300 euro dhe kjo shihet hapur se kush po i mbron më shumë interesat e punëtorëve”, u prononcua Zeqiri.

Gjithashtu, kryetari i Sindikatës së Policisë bëri të ditur që nga 10 janari ka kërkuar të takohet me kryeministrin Kurti, por që një kërkesë e tillë ende nuk është realizuar.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Shërbyeseve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Gazetën Infokus se duke e parë gjendjen në vend paga minimale duhet të jetë deri në 350 euro.

“Nuk ka logjikë të mendohet të përkrahet një propozim i tillë derisa situata dhe gjendja ka esklau deri në atë masë sa që edhe ajo pagë që e kemi kërkuar me qenë deri në 350 euro edhe ajo s’e mbulon koston e shpenzimeve dhe shportën e konsumit. Andaj nga kjo nënkupton që qeveria vetë duhet më ndërru propozimin e vet, tu e pa gjendjen se në çfarë pozite jemi, e le më të na detyron neve ta themi publikisht dhe të mos e përkrahim apo edhe në forma të tjera të reagojnë”, deklaroi Zymberi

Ndërkaq, ai e quan të turpshëm dhe provokues propozimin e ministrit Murati, duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhemi.

“Është e turpshme dhe provokuese të dilet me propozime që ka thënë ministri pa u bazu në situatën e tanishme në të cilën jemi”, tha Zymberi për Infokusin.

Edhe kryetari i Bashkimit i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli e konfirmoi se në takimin e mbajtur, Komisioni për Paga, Çmime dhe Pensione ka dërguar në votim dy propozime për pagën minimale, por që asnjëra nga këto nuk ka arritur të grumbullojë votat e mjaftueshme për miratim.

“I kemi pas dy propozime edhe asnjëri nga propozimet nuk ka shku. Domethënë as propozimi i qeverisë, por nuk ka shku as propozimi i sindikatave që ka qenë 300 euro”, deklaroi Hykolli për Gazetën Infokus.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati, në ditën kur u votua propozimi i qeverisë, nuk dha detaje të tjera vetëm tha se sindikatat nuk e pranuan, rritjen prej 264 euro të pagës minimale.

E madje ai e quajti kundërshtim, mos votimin e sindikatave për 264 euro, duke mos treguar që ata kishin propozim tjetër, e që nuk ishte shumë më e madhe se shifra e propozuar nga ministri.

“Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale”, ka shkruar ministri Murati.