Prokuroria Speciale (PKRS) ka paralajmëruar hetime për aferën e punësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). PKRS-ja, i ka thënë Paparacit se do të hetojë “secilin pretendim” që bie në kompetencë të saj.

Punësimet e dyshuara familjare e partiake në konkursin e fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë vënë në lëvizje Prokurorinë Speciale.

Në një përgjigje për Paparacin, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka deklaruar se Prokurori i Shtetit do të hetojë “çdo pretendim që përmban vepër penale, e cila i takon kompetencave të saj”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), secilin pretendim të veprës penale, si dhe çdo lëndë e cila bie në kompetencë të kësaj prokurori i heton”, tha Lutfiu.

Një hulumtim i Paparacit, i publikuar të hënën, nxjerri në pah shkeljet e rënda ligjore në procesin e rekrutimit të 128 punëtorëve në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, si dhe të afërm të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit, figurojnë në mesin e të punësuarve në KEK.

Në këtë konkurs në të cilin janë pranuar 128 persona, 120 prej tyre janë të afërm me partinë në pushtet. 40 të tjerë, kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në ndërmarrjen publike.

Në konkurs kanë aplikuar plot 4668 persona.

Ndërmarrja Publike e KEK-ut, ka pasur edhe më herët punësime familjare, por kurrë në këtë nivel. Krejtësisht në mënyrë të hapur. Në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Penal.

Ndërkohë, shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar.

Korporata sot ka reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

KEK-u ka njoftuar se për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit, si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kanë pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt.