Rritja e çmimeve në shportën e konsumatorëve ka krijuar panik të madh tek qytetarët në vendin tonë, shkruan Gazeta Infokus.

Një rritje e tillë më së shumti është vërejtur në çmimin e vajit, ku një litër ka arritur shumën 3.49 euro.

Një gjë e tillë po ndikon edhe në aspektin social.

Sociologu, Rejhan Fejza, në një prononcim për Gazetën Infokus, ka thënë se çdo veprim në kohë krize e krijon edhe një krizë tjetër.

Sipas tij ndryshimet e çmimeve nga dita në ditë, shkaktojnë katrahurë shoqërore dhe ky veprim tregon shumë për kulturën e një shoqërie.

“Kur shitësit, pavarësisht situatës synimin e kanë që të pasurohen shpejt dhe mbi kurrizin e qytetarëve më të vjetër në Evropë, kjo qasje lë shumë për të dëshiruar e gjithashtu tregon se jemi shumë larg kulturalisht vendeve perëndimore, ku edhe synojmë të anëtarësohemi nëpër organizata dhe të ngjizemi me jetën e tyre”, deklaroi Fejza.

Ai gjithashtu tha se nganjëherë mund edhe t’ia lëmë fajin mungesës së ‘prekjes’ kulturore me vendet tjera, pasi që jemi vendi i vetëm ku jetesa luksoze e të pasurve shtrihet fiks mbi shpinën e atyre që mbijetojnë.

Sipas tij, paniku i krijuar nuk arsyetohet në asnjë rast.

“Të vetmit që e arsyetojnë këtë panik janë pikërisht ata që e nxisin. Sa më shumë panik dhe frikë se mund të mbesim pa miell, vaj e gjëra të tjera, aq më shumë shiten këto produkte”, tha Fejza për Infokus.

Tutje ai mori edhe një shembull që e arsyeton mendimin e tij.

“Ta zëmë askush nuk po bën panik se mund të mbesim pa ajër të pastër edhe pak kohë nga shkatërrimi i natyrës, djegia e lëndëve kimike, askush nuk thërret në vetëdijesimin se një ditë nga mungesa e zhvillimit të mjekësisë, arsimit etj, shumë shpejt do të mbesim pa kuadro, sepse këto nuk janë produkte që shiten. Ta zëmë nafta më nuk shihet vetëm si një lëndë djegëse për ta lëvizur makinën, por më shumë shihet si diçka pa të cilën nuk lëvizim dot pothuajse as me këmbët tona”, u shpreh ai.

Po ashtu sociologu, Fejza tha për Infokus, se paniku që po krijohet nga kjo ngritje e çmimeve mund të krijoj edhe pasoja të mëdha.

Ai tha se situatat e tilla janë fitil për trazira.

“Patjetër! Situatat e tilla janë fitil për trazira, sepse unë mendoj që krizat e tilla janë brumë për konservatorizëm dhe kur mbyllja shoqërore do të ndeshet ndoshta një ditë me mungesën e vërtetë të naftës, miellit, vajit .., e ujit p.sh., atëherë kjo është një sinjal që fitili i ndërtuar nga paniku, tani po digjet dhe mund të shpërthej në çdo çast”, tha Fejza.
Në fund sociologu tha se Qeveria e Kosovës, duhet urgjentisht të shtoj numrin e inspektorëve.

Sipas tij, qeveria duhet edhe të funksionalizojë kontrolle më të ashpra nëpër dyqane, pompa derivatesh, mullinj dhe depo ushqimore, sepse nga këto vende edhe po buron kjo fryrje enorme e çmimeve.

“Gjithashtu, për mendimin tim qeveria duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme nëse nuk arrinë që sa më shpejt ta bëj punën e lartcekur. Në këtë gjendje të jashtëzakonshme të hiqet akciza e derivateve dhe të ulet TVSh-ja për derivate. Po ashtu qeveria duhet të krijoj një listë ushqimesh dhe barnash esenciale të cilat duhet patjetër të kenë çmime tavan të vendosura dhe të njëjtat të shiten pa TVSh”, ka deklaruar Fejza për Gazetën Infokus.

Ndërsa sot çmimi i një litre vaji ka shkuar deri në 3 euro e 49 cent. Në lidhje me këtë kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas një vizite që i ka bërë një kompanie në Gjilan që merret me përpunimin e vajit, ka folur edhe për ngritjen e çmimit të këtij produkti.

Sipas tij çmimi i vajit nuk është ngritur rastësisht në 3.50 cent por 3.49 cent. Ai ka thënë se këto çmime janë të fyera dhe inspektorët do të marrin masa ndaj atyre, siç ka thënë Kurti, që po përfitojnë në këtë kohë krize.

“Në këtë fabrikë ka 300 mijë litra vaj të papërpunuar dhe nëse përpunohet atëherë do të kemi vaj edhe për një muaj. Si qeveri do të kërkojmë nga vendet mike e partnere që të sigurojmë lëndën e parë që do të thotë vaj i papërpunuar. Ai ka thënë se nuk ka vend për panik dhe se kërkesat për vaj nuk janë as për së afërmi sa është konsumimi i tij. Çmimi i vajit aktualisht në Kosovë, është më i shtrenjti në botë. Bëhet fjalë për fyerje të çmimeve që bëhet nga faktori njeri e jo nga gjendja objektive. Këto çmime do të shfryhen”, ka thënë kryeministri Kurti.

Gazeta Infokus ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në lidhje me këtë rritje të çmimeve dhe se a do të merret ndonjë masë për kontrollin e tregut, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Gazeta Infokus/