Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit në Shqipëri ka vendosur sot, që çmimi i naftës dhe benzinës të jetë 217 lekë, apo 1.76 euro litri gjatë këtyre 24 orëve, ndërsa gazi 93 lekë apo 0.75 euro litri.

Ky është një çmim relativisht më i ulët krahasuar me atë të disa ditëve më parë, megjithatë duket të jetë larg atij nën 200 lekë që ishte para rritjes së madhe që pësoi para një jave.

Shpjegimi i importuesve ka qenë se çmimi u rit për shkak të shtrenjtimit në bursë duke bërë që edhe në Shqipëri një litër naftë të kërcente në pak ditë nga 195 lekë ose 1.58 euro litri në 265 lekë, apo 2.15 euro litri.

Aktualisht, çmimi i karburanteve në bursë është mesatarisht 110 dollar një barrelë, ngjashëm me çmimin kur karburantet këtu ishin 190-195 lekë apo 1.54-1.58 euro litri. Prandaj, nevojitet që çmimi të ulet edhe më tej, të paktën për të kapur të njëjtat nivele me një javë më parë.