“Mbyllja e qiellit” është kryekërkesa e ukrainasve për NATO-n. Vetëm kështu besojnë se do t’i shpëtonin sulmeve ajrore të Rusisë. NATO-ja e konsideron se një vendim i tillë do ta zgjeronte luftën në gjithë Evropën. Por, çka mendon kryeministri Kurti për zonën e ndalim-fluturimit?

Prej që ka nisur pushtimi nga Rusia, më 24 shkurt, ukrainasit i kërkojnë me ngulm NATO-s që të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi hapësirën ajrore të Ukrainës.

Për kërkesën e refuzuar nga NATO-ja, kryeministri Albin Kurti, sipas një njoftimi të Zyrës së tij, ka thënë se Aleanca Veriatlanike e di më së miri, por, sipas tij, nuk po bëhet mjaftueshëm për t’u mbrojtur populli ukrainas.

“NATO e di më së miri, por mendoj se kur i shihni popullin e Ukrainës duke vuajtur dhe në të njëjtën kohë avionët dhe artilerinë ruse duke i bombarduar civilët, nuk mendoj se ajo që po bëjmë aktualisht, përfshirë NATO-n, është e mjaftueshme”, ka thënë Kurti në BBC Radio, sipas një njoftimi të Kryeministrisë.

Vendosja e zonës së ndalim-fluturimit për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky ka qenë më e rëndësishmja nga të gjitha dhe këtë kërkesë ndaj NATO-s, Këtë kërkesë, ai e ka përsëritur vazhdimisht, prej kur forcat ruse hynë në territorin e Ukrainës dhe Rusia nisi sulmet ajrore.

Sekretari gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg, në javët e para të luftës në Ukrainë, ka thënë se vendosja e një “zonë të ndalimit të fluturimeve” do të zgjeronte luftën edhe në më shumë shtete evropiane.

“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por gjithashtu besojmë se po ta bënim këtë (vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit) do të përfundonim me diçka që mund të çonte në një luftë të plotë në Evropë, duke përfshirë shumë më tepër vende”, kishte thënë Stoletenberg gjatë një konferencë për media në Bruksel.

Ai thoshte se NATO-s i duhet të mendoj që të mos i rris përmasat e luftës Rusi-Ukrainë dhe të mos shkaktojë edhe më shumë dëme.