Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti,ka biseduar nëpërmjet telefonit me zëvendësministren për Punë të Jashtme të Ukrainës, Emine Dzhaparova.

Në këtë telefonatë, Ahmeti ia ka përmendur krye-diplomates ukrainase sanksionet e Kosovës dhe rreshtimin e vendit përkrah perëndimit dhe kundër Rusisë, shkruan lajmi.net.

“Gjithashtu, ai përmendi edhe ndihmën që Republika e Kosovës po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Kryediplomatja ukrainase e ka njoftuar homologun e saj në Kosovë për situatën e rëndë humanitare atje të shkaktuar nga agresioni rus.

Ky është njoftimi i plotë:

Zëvendësministri Ahmeti bisedoi me zëvendësministren e parë për Punë të Jashtme të Ukrainës, znj. Dzhaparova

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës z. Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar sot një telefonatë me homologen e tij ukrainase, znj. Emine Dzhaparova.

Në këtë bisedë z. Ahmeti njoftoi znj. Dzhaparova për rreshtimin e Republikës së Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai përmendi edhe ndihmën që Republika e Kosovës po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.

Znj. Dzhaparova falenderoi Republikën e Kosovës për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.

Nga Ukraina, ajo e njoftoi z. Ahmeti për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit. Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë.

Zëvendësministri Ahmeti përcjelli ngushëllimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm.