Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetim të Komunës së Prishtinës, për siç thuhet në njoftim, një aktivitet të dyshimtë ekonomik, që përfshin edhe keqpërdorimin e parasë publike.

Bëhet fjalë për periudhën gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, kur Komuna e Prishtinës kishte nisur procesin për licensimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike

“Grupi i Këshilltarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës njofton opinionin e gjerë publik, përfaqësuesit e mediave dhe veçanërisht qytetarët e Komunës sonë se sot kemi paraqitur para organeve kompetente të Policisë së Kosovës, sektori i Krimeve Ekonomike, kërkesën për inicim të hetimeve në lidhje me një aktivitet ekonomik të zhvilluar nga Komuna e Prishtinës në muajt e fundit të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për rastin “Thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike” në Komunë të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e VV-së dërguar mediave.

VV dyshon se gjatë këtij procesi, janë bërë anashkalime, shkelje të procedurave, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe vepra inkriminuese që dëmtojnë buxhetin. Nuk janë dhënë informacione konkrete se nga kush dhe si janë kryet këto vepra.

“Sipas informacioneve të siguruara nga qasja në dokumentet zyrtare dyshohet se që nga thirrja për aplikim e shpallur me datë 2 nëntor 2021 e deri në përfundim të procesit janë bërë anashkalime, shkelje të procedurave, keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar në Komunën e Prishtinës dhe për më tepër dyshohet se janë kryer veprime inkriminuese të cilat kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke shpresuar dhe besuar në profesionalizmin dhe përkushtimin e organeve kompetente kërkojmë veprime konkrete e të menjëhershme për hetimin dhe sqarimin e të gjitha dyshimeve të ngritura’, thuhet në fund.