Zbulohet në Izrael një variant i ri i koronavirusit. Ekspertët e shëndetit thanë se bëhet fjalë për një kombinim të dy varianteve të Omicronit, BA1 dhe BA2, me të cilin rezultuan të infektuar dy udhëtarë që kishin hyrë në Izrael përmes aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit.

Autoritetet kanë nisur menjëherë testimet e personave, me të cilët ata kanë pasur kontakte.

Nga këqyrjet laboratorike duket se ky variant është më pak i dëmshëm se pararendësit e tij të Omicronit. Mbetet për t’u vlerësuar shpejtësia e përhapjes. Kulmin e infektimeve me Omicron, Izraeli e kaloi në Janar të këtij viti, kur infektimet shënuan rekordet e gjithë periudhës së pandemisë.

Vala e Omicronit nuk është ndalur ende në Europën Qendrore.

Gjermania shënoi rekord të ri pandemik infektimesh me gati 295 mijë raste ditore.

Në nivelet më të larta të infektimeve ditore është edhe Austria, ku ditët e fundit numërohen 50 deri 60 mijë raste të reja.

Megjithatë, shifrat e viktimave apo shtrimet në spitale janë të ulëta. Me rekorde infektimesh po përballen edhe Kinë dhe Koreja e Jugut.